Kushtrim Gara, përfaqësues nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, njoftoi se gërmimet në lokacionet e dyshuara për varrezat masive kanë përfunduar.
Gara deklaroi për Klan Kosova se pas katër javësh intensiteti të punës, procesi i zhvarrosjes së mbetjeve kockore është përmbyllur. Ai sqaroi se ky angazhim ka zgjatur rreth katër javë, duke nisur nga fundi i muajit të kaluar deri më sot. Lokacionet e konfirmuara të varreve masive tani janë shënuar, dhe procesi i zhvarrosjes së të gjitha mbetjeve mortore është përfunduar, për t’u dërguar më pas në Institutin e Mjekësisë Ligjore për analiza të mëtejshme, përfshirë ato të ADN-së.
I pyetur për kohën e njoftimit të familjarëve të viktimave, Gara theksoi se procesi i identifikimit përmes analizave të ADN-së ka nevojë për më shumë kohë. Ai u shpreh se, sapo të pranojnë rezultatet e analizave, familjarët do të njoftohen menjëherë.
“Çdo veprim do të vlerësohet me prioritet dhe profesionalizëm. Procesi i identifikimit përmes ADN-së mund të kërkojë pak më shumë kohë, por asnjëherë nuk do të vonohemi në njoftimin e familjeve”, theksoi Gara.



















You must be logged in to post a comment Login