Një incident tragjik ka ndodhur së fundmi në Tajlandë, kur një goditje rrufeje mbi një fushë futbolli ka rezultuar në vdekjen e një lojtari dhe ka plagosur 12 të tjerë në jug të vendit.
Dy ekipet po zhvillonin një ndeshje në stadiumin Santiphap, në provincën Narathiwat, gjatë një moti musonik, kur rrufeja goditi fushën e mbuluar nga shiu. Sipas raportimeve nga Metro.co.uk, ngjarja fatale ka ndodhur më 4 gusht.
Pamjet filmike tregojnë momentin kur rrufeja godet Safwan Awae, një lojtar 24-vjeçar, brenda zonës së penalltisë, përmes një re tymi. Pas goditjes, 12 lojtarë të tjerë pësuan lëndime, ndërsa disa prej tyre u filmuan teksa përpiqeshin të ringjallnin shokun e tyre të skuadrës në pritje të ndihmës mjekësore.
Shefi i policisë, Thun Sirikhunt, konfirmoi se lojtari i dëmtuar u dërgua me urgjencë në spital në një gjendje kritike, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë. Ai tha: “Edhe pse ekipi i urgjencës bëri çdo përpjekje për ta shpëtuar, viktima vdiq nga plagët e marra në incident.”
Gjashtëmbëdhjetë të rinj të tjerë, përfshirë futbollistin malajzian Alif Ezzahan Zulkifli, 22 vjeç, u plagosën dhe morën trajtim mjekësor në lagjen Sungai Golok të qytetit.



















You must be logged in to post a comment Login