Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar për një rritje të rasteve të fruthit në vend.
Sipas të dhënave të fundit, gjatë periudhës 16 prill – 17 gusht 2026 janë raportuar gjithsej 137 raste të konfirmuara me fruth. Gjatë javës së fundit, janë regjistruar 25 raste të reja.
Numri më i madh i rasteve është identifikuar në Prishtinë, me 47 raste, ndjekur nga Fushë Kosova me 34 raste. Ferizaj ka raportuar 12 raste, Obiliqi 8 raste, ndërsa Kaçaniku dhe Lipjani kanë nga 7 raste secili.
Raste të fruthit janë regjistruar gjithashtu në Skenderaj, Vushtrri dhe Drenas, me nga 3 raste. Gjilani, Shtimja, Shtërpca dhe Deçani kanë nga 2 raste, ndërsa në Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë dhe Viti është raportuar nga një rast.
Për shkak të situatës epidemiologjike, IKShPK thekson se ekipet e vaksinimit në komunat me numrin më të lartë të rasteve kanë intensifikuar aktivitetet. Gjatë javës së fundit, ekipet e vaksinimit në Prishtinë, Fushë Kosovë, Ferizaj, Obiliq, Vushtrri dhe Skenderaj kanë vaksinuar gjithsej 276 fëmijë që kanë vonuar vaksinimin sipas kalendarit të rregullt.
IKShPK rekomandon që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë, rrufë ose konjunktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet shëndetësore më të afërta.



















You must be logged in to post a comment Login