Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

“Fqinjët po investojnë miliarda për infrastrukturën e gazit”, Sejdiu: Kosova po mbetet jashtë (VIDEO)

“Fqinjët po investojnë miliarda për infrastrukturën e gazit”, Sejdiu: Kosova po mbetet jashtë (VIDEO)

Opinionisti Dardan Sejdiu ka paralajmëruar se Kosova rrezikon të mbetet jashtë një prej projekteve më të rëndësishme energjetike dhe strategjike në rajon. Ai theksoi se çështja e gazit natyror është e lidhur jo vetëm me energjinë, por edhe me sigurinë kombëtare dhe pozicionimin gjeopolitik të vendit.

Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Sejdiu shprehu shqetësimin se debati në publik shpesh fokusohet gabimisht te përdorimi i gazit për amvisëri. Sipas tij, thelbi i projektit ka të bëjë me infrastrukturën energjetike.

“Gazi është infrastrukturë, është kurrizi i diversifikimit dhe i strategjisë nacionale të sigurisë. Nuk po flasim për gazifikimin e shtëpive, por për infrastrukturë strategjike,” u shpreh Sejdiu.

<

Ai tregoi se projekti për ndërlidhjen Prishtinë-Shkup përmes gazsjellësit nuk kërkon investime të papërballueshme. Hapi i parë për këtë projekt është një gyp me kosto rreth 70 milion euro.

“Me këtë investim, Kosova i thotë Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë se dëshiron të jetë pjesë e arkitekturës së pavarësisë energjetike dhe të sigurisë nga ndikimi rus,” potencoi ai. Sejdiu theksoi gjithashtu se fqinjët po investojnë rreth 1.2 miliard euro, ndërsa Kosova ka qëndruar jashtë.

Sipas tij, vendet e rajonit kanë filluar investime të mëdha në infrastrukturën e gazit, duke lënë Kosovën prapa. Ai sqaroi se ministrat e Energjisë nga Greqia, Serbia dhe Maqedonia e Veriut po diskutonin për korridorin vertikal të gazit dhe investimet përkatëse.

Gjithashtu, Sejdiu vuri në dukje se Serbia dhe Maqedonia e Veriut po sigurojnë kapacitete të konsiderueshme energjetike nga terminali i Aleksandropolisit në Greqi.

Ai theksoi se procesi ndodhet ende në fazën e zotimeve, duke lënë hapësirë që Kosova të përfshihet. Kjo është arsyeja pse përfaqësuesit ndërkombëtarë po insistojnë që Kosova të marrë vendim në kohë.

“Po na thuhet se ekziston një mundësi që zotimet e shteteve përreth të sfidohen nëse Kosova futet në këtë proces. Kjo është arsyeja pse tema po ngrihet vazhdimisht,” shtoi ai.

Sejdiu e përfundoi duke kritikuar ide të tjera alternative, të cilat sipas tij nuk adresojnë problemin strategjik të vendit.

Click to comment
  • Be the first to comment

Mund të ju pëlqejn

Advertisement