Avokati Arianit Koci ka marrë përsipër përfaqësimin e familjeve të tre personave që humbën jetën në aksidentin tragjik në segmentin e autostradës Shkup–Bllacë. Ai ka ngritur një sërë pyetjesh lidhur me mënyrën se si ishte siguruar kjo rrugë dhe po kërkon që ata që janë përgjegjës të dalin para drejtësisë.
Në një postim në Facebook, Koci tha se, së bashku me familjarët e viktimave, vizituan Policinë e Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, sipas tij, nuk morën përgjigje për disa çështje që i konsideron thelbësore për zbardhjen e rastit.
Ai pyeti: “Cila ndërmarrje e ka ndërtuar këtë segment? Kush e ka mbikëqyrur ndërtimin dhe kush ka qenë përgjegjës për sigurinë e tij? Pse hyrja në segmentin që ishte zyrtarisht e mbyllur për qarkullim nuk është bllokuar fizikisht?”
Një tjetër shqetësim i avokatit Koci është se hyrja në këtë segment u bllokua fizikisht me zhavorr dhe u vendosën shenja të komunikacionit vetëm pas aksidentit fatal.
“Nëse këto masa u morën pas aksidentit, pse nuk ishin vendosur më herët, kur segmenti ishte i mbyllur zyrtarisht për qarkullim?”, theksoi ai.
Koci gjithashtu shprehu shqetësimin se deri më tani nuk është marrë në pyetje asnjë person në lidhje me përgjegjësinë për këtë rast. Ai ngriti gjithashtu çështjen e kostove që, sipas tij, janë mbuluar nga familjarët e viktimave pas tragjedisë.
“Familjarët janë detyruar të paguajnë 2,800 euro për bartjen e kufomave nga Maqedonia e Veriut në Kosovë. Shteti duhej ta merrte këtë shpenzim përsipër”, shkroi ai.
Avokati Koci ka shprehur angazhimin e tij për të përfaqësuar ligjërisht familjet e viktimave dhe ka kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, si dhe përcaktimin e përgjegjësisë institucionale për këtë rast.
Be the first to comment