Bashkimi Evropian i Transmetuesve (EBU) ka bërë një ndryshim të rëndësishëm në rregullat e konkursit Eurovision. Nga tani e tutje, vendi që fiton garën nuk do të ketë automatikisht të drejtën të organizojë evenimentin. Ky vendim ka për qëllim të mundësojë një menaxhim më të mirë të situatave të ndjeshme gjeopolitike dhe të sigurisë.
Sipas rregullave të reja, transmetuesi i shtetit fitues mund të shpallet i papërshtatshëm për organizimin e Eurovisionit në rast se ndodhen konflikte, situata gjeopolitike të tensionuara apo rrethana që cënojnë sigurimin, stabilitetin dhe zhvillimin e konkursit. Nëse një vend nuk konsiderohet i përshtatshëm për organizim, EBU rezervon të drejtën t’ia japë këtë detyrë një transmetuesi tjetër.
Ky vendim erdhi pas rasteve të kaluar ku Eurovision është mbajtur jashtë vendit fitues. Për shembull, në vitin 2023, konkursi u zhvillua në Liverpool të Mbretërisë së Bashkuar, ndonëse Ukraina e kishte fituar një vit më parë. Situata e luftës me Rusinë e bëri të pamundur organizimin në Ukrainë, duke e detyruar EBU-në të transferojë përgatitjet te transmetuesi britanik.
Përveç kësaj, edicioni i fundit ishte shoqëruar edhe me debate mbi pjesëmarrjen e Izraelit. Disa vende, përfshirë Spanjën dhe Holandën, u tërhoqën nga gara pas konfirmimit të pjesëmarrjes së Izraelit, për shkak të tensioneve në Gaza. Izraeli arriti rezultate të ngjashme me ato të vitit 2025.
EBU nënvizon se këtë ndryshim e ka bërë për të garantuar më shumë qartësi dhe siguri për artistët, delegacionet dhe ekipet organizative. Rregullorja e re parashikon gjithashtu një vlerësim të pavarur të sigurisë për raste ku nuk ka luftë, por rrethana të tjera mund të ndikojnë në organizimin e eventit.
Ky ndryshim e ndan për herë të parë në mënyrë të qartë fitoren nga e drejta automatikë për të organizuar Eurovisionin, duke theksuar rëndësinë e kushteve të sigurisë në vendin fitues për vendimin mbi qytetin dhe shtetin pritës të edicionit të ardhshëm.



















You must be logged in to post a comment Login