Mbledhja e Kuvendit Komunal në Gjilan ka përjetuar tensione të larta sot, pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për përfshirjen e raportit të punës së kryetarit, Alban Hyseni, në rendin e ditës.
Kryesuesja e Kuvendit e refuzoi këtë kërkesë, duke shpjeguar se ishte një pikë jashtë rendit të ditës dhe se nuk ishte miratuar.
Nga pamjet e publikuara nga seanca, duket se disa asamblistë qëndrojnë te vendi i kryesueses. Gjatë debatit, drejtori i VV-së, Kushtrim Ibrahimi, kap për dore asamblistin e PDK-së, Burhan Isufi.
Më pas, asamblistët e PDK-së bllokuan foltoren, duke ndërprerë zhvillimin e seancës. Kryesuesja e Kuvendit, gjatë situatës, tha: “E kemi vendosur në rend ditë s’është miratu. Uluni. Pse jam një grua dhe një femër këtu po ini katër burra, turp le të iu vi. Mos me na leju me punu, fjalën e lirë e kemi, turp për juve.”
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, iu përgjigj ngjarjeve përmes një komunikate, duke i quajtur veprimet e opozitës si “uzurpim të institucionit” dhe “pengim me dhunë të punës së Kuvendit”.
Hyseni theksoi se “tërheqja me forcë e mikrofonit dhe mjeteve të punës, si dhe skenat ku katër burra ushtrojnë presion ndaj një gruaje të vetme, Kryesueses së Kuvendit të Komunës, janë të papranueshme në çdo standard demokratik. Këto veprime nuk përfaqësojnë debat politik, por tentativë për ta zëvendësuar fjalën me forcën. Qytetarët e Gjilanit nuk na kanë zgjedhur për të parë bllokada e dhunë. Na kanë zgjedhur për të marrë vendime, për të punuar dhe për t’u shërbyer atyre.”
Be the first to comment