Reshjet e shumta të shiut dhe erërat e forta që kanë goditur rajonin e Gjakovës kanë shkaktuar dëme materiale në disa lokalitete. Këto kushte meteorologjike kanë çuar në rrëzimin e drunjëve dhe dëmtimin e shtyllave të rrjetit elektrik.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, ka konfirmuar për Klankosova.tv se rastet e dëmtimit janë raportuar në fshatrat Gërgoc dhe Cërmjan.
Krasniqi ka theksuar se, sipas informacioneve të para nga terreni, disa drunjë janë rrëzuar për shkak të motit të keq, si dhe ka pasur dëmtime të shtyllave elektrike. Njësitë përkatëse të Policisë kanë reaguar menjëherë, ndërsa shërbimet emergjente komunale janë njoftuar për situatën. Në bashkëpunim me institucionet e tjera, është vepruar në terren, dhe rrugët në këtë zonë janë bërë të qarkullueshme.
Autoritetet i kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, pasi kushtet atmosferike mund të sjellin rreziqe të tjera në zona të ndryshme të rajonit.
Be the first to comment