Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë angazhuar për arritjen e një marrëveshjeje që do të mundësonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe rikthimin e rrjedhës normale të naftës nga Lindja e Mesme, ekspertët paralajmërojnë se lëvizjet në tregun global të energjisë mund të varen nga një aktor jo të drejtpërdrejtë në negociata: Kina.
Si konsumatori i dytë më i madh i naftës bruto në botë, Kina ka ndërmarrë disa masa për të ruajtur furnizimin e saj energjetik pas ndërprerjeve të shkaktuara nga konflikti në Iran, i cili ka ndikuar në më shumë se 11 milionë fuçi naftë në ditë. Duke reduktuar importet dhe shfrytëzuar rezervat strategjike, Pekini ka arritur të zbusë ndikimin e çmimeve të larta në ekonominë e tij.
Analistët theksojnë se këto veprime kanë kontribuar gjithashtu në stabilizimin e tregut global të naftës. Megjithatë, përkundër paralajmërimeve se çmimi i naftës mund të arrinte deri në 200 dollarë për fuçi, tregu ka mbetur relativisht i qëndrueshëm, pavarësisht se humbjet e vlerësuara të furnizimit kanë tejkaluar një miliard fuçi.
Daan Walter, një drejtor në organizatën kërkimore për energjinë Ember, theksoi se Kina ka luajtur një rol kyç në zbutjen e pasojave ekonomike për Azinë dhe botën. Në këtë kontekst, të hënën, çmimi i naftës ra nën 78 dollarë për fuçi, për shkak të pritjeve për rikthimin në normalitet të trafikut në Ngushticën e Hormuzit.
Para intensifikimit të konfliktit SHBA-Iran, nafta Brent tregtohej nën 70 dollarë për fuçi, por në fillim të majit kishte arritur nivelin më të lartë në katër vjet, 114 dollarë për fuçi. Analistët besojnë se pavarësisht zhvillimeve në Lindjen e Mesme, politikat energjetike të Kinës do të vazhdojnë të jenë vendimtare në përcaktimin e drejtimit të tregut.
Ekspertët e Societe Generale e përshkruajnë Kinën si “dorën e padukshme” e cila po ribalancon tregun e naftës. Ata rikujtojnë që embargoja arabe në vitin 1973 ulte furnizimin global me rreth 7 për qind, por çmimi i naftës u rrit me 134 për qind.
Konflikti aktual ka ndikuar në rreth 14 për qind të furnizimit global, pa shkaktuar një rritje të ngjashme çmimesh. Kjo ndodh kryesisht për shkak të aftësisë së Kinës për të reduktuar importet me gati 3 milionë fuçi në ditë, një sasi e barabartë me kërkesën totale të Japonisë për naftë.
Kina ka hyrë në këtë krizë me rezerva të mëdha, të cilat i ka krijuar falë blerjeve të naftës së lirë nga Rusia dhe Irani. Sipas raporteve, vendi zotëron mbi një miliard fuçi në rezervat strategjike dhe ka filluar t’i përdorë ato prej majit. Janiv Shah nga Rystad Energy deklaroi se Kina ka vendosur një kufi për çmimet e naftës.
Përveç kësaj, autoritetet kineze kanë limituar eksportet e produkteve të rafinuara, si benzina, me qëllim sigurimin e furnizimit të brendshëm. Kjo ka ulur interesin e rafinerive kineze për të blerë sasi shtesë të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare. Rritja e shpejtë e automjeteve elektrike ka ulur gjithashtu konsumin e naftës në vend.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, problemi i furnizimit mund të zëvendësohet me një teprim të tij. Agjencia parashikon se vitin e ardhshëm furnizimi global mund ta tejkalojë kërkesën me rreth 4.7 milionë fuçi në ditë, nëse prodhimi në Lindjen e Mesme rikthehet në nivelet normale pas rihapjes së Ngushticës së Hormuzit.
Përveç kësaj, po rritet interesi për energjinë e rinovueshme, duke ndikuar gjithashtu në uljen e kërkesës për naftë. Kina, e cila është lider global në automjete elektrike dhe energji të rinovueshme, ka regjistruar eksporte rekord të teknologjive të energjisë së pastër.
Ekspertët vlerësojnë se procesi i elektrifikimit po përshpejtohet në shumë vende dhe se do të ketë një ndikim afatgjatë në konsumin global të naftës. Sipas kompanisë Kpler, teprica e furnizimit mund të shfaqet që muajin e ardhshëm nëse Ngushtica e Hormuzit rihapet shpejt.
Ndërkohë, Irani planifikon të rrisë prodhimin e tij, veçanërisht nëse sanksionet amerikane lehtësohen. Megjithatë, kjo mund ta bëjë naftën iraniane më pak tërheqëse për Kinën, e cila ka përfituar deri tani nga çmimet e ulëta për shkak të kufizimeve ndërkombëtare. Në përfundim, ekspertët theksojnë se, edhe në një treg me furnizim të bollshëm, Kina mbetet faktor i rëndësishëm për balancimin e kërkesës dhe ofertës globale.



















You must be logged in to post a comment Login