Gjashtë persona nga Kosova janë lënduar në një aksident të rëndë trafiku, i ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes, në rrugën magjistrale Shkup–Pikëkalimi Kufitar Bllacë e Poshtme, në Maqedoninë e Veriut.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të RMV-së, aksidenti ka përfshirë dy automjete me targa kosovare. Një veturë “Kia”, e drejtuar nga një 33-vjeçar, dhe një “Volkswagen Golf”, që ishte nën drejtimin e një 61-vjeçari, gjithashtu nga Kosova.
Përplasja ka rezultuar në lëndime të rënda për të dy drejtuesit e automjeteve. Po ashtu, pasagjerët e “Volkswagen Golf”-it, një 54-vjeçar dhe një 20-vjeçar, kanë pësuar gjithashtu lëndime trupore. Dy pasagjerë të tjerë nga kjo veturë, një 23-vjeçar dhe një 35-vjeçar, janë të lënduar po ashtu.
Të gjithë të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori” dhe në Qendrën e Urgjencës pranë kompleksit të klinikave “Nënë Tereza” në Shkup.
Autoritetet maqedonase kanë njoftuar se, me urdhër të prokurorit publik, drejtuesi i “Kia”-s do të ndalohet përkohësisht pas përfundimit të trajtimit mjekësor.
Ekipi hetimor i Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes. Hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit vazhdojnë.
Klankosova.tv ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes.
Be the first to comment