Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën dhe 38 të tjerë janë plagosur si pasojë e një serie të shtënash me armë zjarri në qytetin e Çikagos, që nga mbrëmja e së premtes, sipas të dhënave të policisë lokale.
Ngjarjet e dhunshme kanë nxitur reagime nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka ripërsëritur thirrjet për një ndërhyrje ushtarake në këtë qytet, që është i treti më i madhi në Shtetet e Bashkuara. Kjo është raportuar nga ABC News dhe transmetuar nga Klankosova.tv.
Në një postim në rrjetin social Truth Social ditën e diel, Trump kritikoi guvernatorin e Illinois, J. B. Pritzker, duke theksuar se ky i fundit mund ta kthejë Çikagon në një nga qytetet më të sigurta të vendit brenda një viti.
Zyra e guvernatorit Pritzker nuk ka dhënë ende një reagim ndaj këtyre deklaratave. Pritzker, i cili është konsideruar si një kandidat i mundshëm i demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, ka kundërshtuar vazhdimisht propozimet e Trumpit për dërgimin e forcave ushtarake në qytet.
Sipas statistikave të Departamentit të Policisë së Chicago, incidet e të shtënave me armë zjarri kanë shënuar një rritje të lehtë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, autoritetet theksojnë se niveli i krimeve të dhunshme në qytet ka qenë në rënie për disa vite, duke pasqyruar tendencat kombëtare.
Të dhënat e hershme tregojnë se nga ora 17:00 e së premtes janë regjistruar të paktën 24 incidente me armë. Midis viktimave përfshihen një 21-vjeçar i qëlluar në gjoks ditën e diel dhe një 18-vjeçar i qëlluar në sqetull të shtunën në mbrëmje, si dhe një 50-vjeçar i qëlluar në gjoks ditën e premte.
Një nga ngjarjet më të rënda ndodhi të premten në mbrëmje, kur persona të armatosur hapën zjarr ndaj një turme nga një automjet SUV, duke plagosur 12 persona.
Të plagosurit, tetë burra dhe katër gra të moshës nga 17 deri në 47 vjeç, janë transportuar për trajtim në katër spitale të ndryshme. Policia raportoi se një person tjetër pësoi lëndime, por refuzoi ndihmën mjekësore.
Autoritetet vazhdojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të sulmeve, ndërsa shqetësimet për sigurinë publike në qytet mbeten të larta.



















You must be logged in to post a comment Login