Nëna e një prej vajzave 15-vjeçare, të përfshira në dhunimin e një 17-vjeçareje në Fier, ka dhënë një deklaratë për mediat para Gjykatës së Fierit. Ajo ka shprehur shqetësimin për gjendjen e vajzës së saj, e cila aktualisht ndodhet e shtruar në spitalin psikiatrik dhe po merr trajtim mjekësor.
Gjatë fjalëve të saj, nëna e 15-vjeçares ka ripërsëritur thirrjet për mirëkuptim ndaj situatës së së miturës, duke shprehur keqardhje për ngjarjen e ndodhur. Ajo ka theksuar se shqetësimet për vajzën e saj kanë nisur që kur ajo ishte nxënëse në një shkollë 9-vjeçare shtetërore, disa muaj më parë.
Sipas saj, ata kanë kërkuar ndihmë nga shkolla dhe psikologu, por janë ndjerë të refuzuar. Prindërit më pas u drejtuan në zyrën arsimore të Fierit dhe vendosën ta dërgojnë vajzën në një shkollë private, nga e cila ajo nuk ka frekuentuar asnjë ditë për shkak të bullizmit.
Nënë e vajzës shprehet e shqetësuar për gjendjen shëndetësore të saj, duke pranuar se nuk ka informacion rreth diagnozës apo trajtimit të saj. Ajo ka theksuar se ka vizituar vajzën dy herë në spital dhe se ndihet e pasigurt në lidhje me ndodhitë e fundit.
“Jam shumë e shqetësuar. Në spital e kam takuar dy herë; nuk duket mirë. Nuk kam informacion nëse ajo është në dijeni për pamjet që janë bërë virale. Vajza kishte telefonin që ia kemi blerë dhe rrobat e saj. Kur kthehej në orët e para të mëngjesit, më thoshte se kishte qenë me shoqe, por nuk më tregonte më shumë,” tha ajo.
Ajo theksoi se nuk njeh shoqet e vajzës, as prindërit e tyre dhe se i ka parë për herë të parë në polici. Nënë e 15-vjeçares shpjegoi se nuk ka marrë avokat për vajzën dhe ka vizituar policinë disa herë për problemet e ndodhura. Ajo gjithashtu ndau se drejtoresha e shkollës i kishte përzënë, duke u shprehur: “Dua kurim të plotë për vajzën”.
Të tre vajzat e përfshira në ngjarjen e dhunshme do të paraqiten para gjykatës për vlerësimin e kushteve dhe kritereve të masave të sigurisë. Prokuroria ka kërkuar arrestimin e mes të miturës, 19-vjeçares Lionela Lamaj, nën dyshimin për “Heqjen e paligjshme të lirisë”. Ajo përfaqësohet nga avokatja Arvenola Dorë.
Be the first to comment