Policia e Kosovës ka përditësuar informacionin në lidhje me një aksident tragjik, në të cilin humbi jetën zyrtari policor Rexhep Gashi.
Sipas njoftimit të Policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 02:30, pranë pikëkalimit kufitar në Vërmicë, në komunën e Prizrenit. Zyrtari policor, 59 vjeçar, ishte i angazhuar në detyrë në këtë pikë kufitare. Hetimet fillestare tregojnë se ai po patrullonte në këmbë pranë pikëkalimit dhe, në një moment, tentoi të kalonte rrugën.
Në atë çast, nga drejtimi Prizren – Vërmicë, një automjet ka goditur viktimën me pjesën e përparme. Si pasojë, ky këmbësor ka humbur jetën në vendin e ngjarjes.
Në vendin e aksidentit kanë arritur prokurori kujdestar, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Prizren dhe ekipi i emergjencës, të cilët konstatuan vdekjen e zyrtarit policor. Me urdhër të prokurorit, kufoma është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa shoferi i automjetit të dyshuar është ndaluar për 48 orë. Rasti është referuar në Prokurorinë Themelore në Prizren.
Be the first to comment