Deklaratat skandaloze të ministres serbe Snezhana Paunoviq lidhur me spastrimet etnike në Kosovë kanë shkaktuar reagime të shumta në nivel ndërkombëtar.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur në lidhje me këtë rast, përmes një zëdhënësi të Departamentit të Shtetit, i cili theksoi se prioriteti i tyre në Ballkanin Perëndimor është paqja. Ai përsaktoi se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një hap i domosdoshëm për arritjen e këtij objektivi.
Në këtë kontekst, Uashingtoni inkurajon liderët politikë të përdorin një gjuhë konstruktive dhe të mirëbesueshme. Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit u shpreh se, “Normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës është thelbësor për paqen dhe stabilitetin në rajon”.
Reagime të ashpra ka pasur edhe nga Britania e Madhe, e cila i ka cilësuar deklaratat e Paunoviqit si “të neveritshme”. Në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme britanike, përmes Ambasadës në Prishtinë, theksohet se “ne i dënojmë këto fjalë, përfshirë referencat e saj për spastrimin etnik të Kosovës. Ato janë plotësisht të papranueshme në shoqërinë e sotme”.
Gjithashtu, komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka shprehur shqetësim për deklaratat e Paunoviqit, duke shpresuar që ajo të mos mbetet më në detyrë pas një shprehjeje kaq “të tmerrshme”.
Be the first to comment