Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat mbi rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin maj 2026.
Sipas raporteve për tregtinë e jashtme të mallrave, është regjistruar një rritje e deficitit tregtar prej 4,0% në krahasim me majin e vitit 2025. Deficiti tregtar arrin vlerën 544,4 milionë euro, krahasuar me 523,4 milionë euro të vitit të kaluar.
ASK njofton se, në këtë periudhë, eksportet kanë mbuluar importet me 14,7%. Sipas të dhënave, eksporti i mallrave në maj 2026 kishte vlerën 94,1 milionë euro, ndërsa importi ishte 638,6 milionë euro. Kjo përfaqëson një rritje prej 15,7% për eksportet dhe 5,6% për importet në krahasim me vitin 2025.
Duke analizuar grupet kryesore të eksportit, rezulton se 27,5% përbëhen nga metalet bazë dhe artikujt prej tyre. Ndërsa, plastika dhe goma përbëjnë 11,1%, dhe ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani përbëjnë 10,7%. Për më tepër, artikujt e ndryshëm të prodhuar dhe produktet minerale përbëjnë përkatësisht 8,9% dhe 8,0%.
Sa i përket importit, 15,2% përbëhen nga produktet minerale, 12,6% nga ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, dhe 12,0% nga makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike. Mjetet e transportit e metalet bazë përbëjnë gjithashtu përkatësisht 11,7% dhe 10,8% të importit.
Eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian (BE) arritën në 30,8 milionë euro, që përbën rreth 32,7% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 6,3%. Partnerët kryesorë në këtë sektor ishin Gjermania, Italia dhe Holanda.
Importet nga vendet e BE-së ishin rreth 301,3 milionë euro, ose 47,2% e importeve totale, duke shënuar një rritje prej 13,7%. Gjermania dhe Italia ishin vendet me pjesëmarrjen më të lartë.
Në raport me vendet e CEFTA-s, eksportet arritën në 43,1 milionë euro, ose 45,7% të eksporteve të përgjithshme. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ishin partnerët kryesorë për eksport nga kjo zonë.
Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 85,3 milionë euro, përfaqësuar 13,4% të importeve të përgjithshme, me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë si kontribuues kryesorë.
Te eksportet me vendet e tjera, vlera arriti në 20,3 milionë euro. Zvicra dhe Turqia ishin partnerë të rëndësishëm në këtë kategori.
Ndërkohë, importet e Kosovës nga vendet e tjera arritën në 252,0 milionë euro, duke përfaqësuar 39,5% të gjithë importeve, me Kinën dhe Turqinë si kontribuues kryesorë.



















You must be logged in to post a comment Login