Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se dy persona janë ndaluar për një periudhë prej 48 orësh, në kuadër të hetimeve mbi rastin e koduar “Pastrimi”.
Sipas njoftimit, të ndaluarit, me inicialet K.V. dhe F.V., dyshohen për disa vepra penale. Këto përfshijnë pjesëmarrje apo organizim të grupit kriminal të organizuar, kontrabandim të mallrave në bashkëkryerje, përdorim të dokumenteve të rreme lidhur me tatimin, shmangie nga tatimi, shpëlarje parash, si dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Prokuroria ka sqaruar se ndalimi i këtyre dy personave është pjesë e veprimeve procedurale hetimore që po realizohen në këtë rast.
Ndërkohë, në lidhje me të njëjtin rast, më 1 korrik ishin arrestuar edhe nëntë persona, dhe hetimet nga organet kompetente vazhdojnë.
Be the first to comment