E ardhmja e Trevoh Chalobah duket e largët nga “Stamford Bridge”. Mbrojtësi anglez është një nga emrat e mundshëm që mund të largohet nga Chelsea gjatë kësaj vere. Klubi italian Como ka hedhur hapat e parë konkretë duke dorëzuar një ofertë zyrtare për kartonin e tij.
Sipas raportimeve të fundit, Como, i drejtuar nga Cesc Fabregas, ka paraqitur tashmë propozimin e parë te londinezët. Chelsea është e gatshme të shqyrtojë ofertat për 26-vjeçarin, i cili ka akoma dy vite kontratë me klubin. Chalobah ishte një nga mbrojtësit më të aktivizuar sezonin e kaluar, por drejtuesit e “Bluve” nuk e konsiderojnë më të paprekshëm në merkato.
Një rival në këtë garë është Interi, i cili po monitoron nga afër situatën e Chalobah. “Nerazzurrët” e kanë ndjekur prej kohësh lojtarin dhe kanë ruajtur kontakte me përfaqësuesit e tij, duke e parë si një alternativë serioze për repartin defensiv.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse Como do të arrijë të bindë Chelsean. Aktualisht, ka një diferencë mes vlerësimit që klubi anglez i bën lojtarit dhe shumës që italianët janë të gatshëm të paguajnë.


















You must be logged in to post a comment Login