Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, në emisionin “Fol Me Arin” në Klan Kosova, ka theksuar se zbatimi i kontratave kolektive ka pasur një ndikim të madh negativ në buxhetet e komunave të Kosovës.
Sipas tij, komunat nuk ishin palë nënshkruese të këtyre kontratave, dhe fondet për benefitët që u takojnë punëtorëve të arsimit, sipas tij, duhej të ndaheshin nga buxheti shtetëror, dhe jo nga ata komunal.
Totaj shpjegoi se “duhet të sqarojmë impaktin shumë negativ që ka pasur zbatimi i kontratës kolektive. E theksoj, asnjëherë nuk jemi kundër benefiteve që iu takojnë punëtorëve të arsimit. Megjithatë, komunat nuk kanë nënshkruar këto kontrata. Nënshkrimi është bërë nga Sindikata e Arsimit dhe Ministria e Arsimit. Si pasojë, mjetet duhej të ndaheshin nga buxheti i shtetit dhe jo të merreshin nga buxheti i komunave pa angazhimin e tyre.”
Ai vazhdoi duke theksuar se kjo situatë jo vetëm që ka zvogëluar drastikisht buxhetin e komunave, por gjithashtu ka çrregulluar planifikimin buxhetor. Si rezultat, komunat janë përballur me mungesë mjeteve dhe nuk kanë mundësinë të realizojnë projektet për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Be the first to comment