Eugen Cakolli, përfaqësues i Institutit Demokratik të Kosovës, ka njoftuar se përfundimi i numërimit të votave me postë pritet të sjellë ndryshime në shpërndarjen përfundimtare të mandateve në Kuvendin e Kosovës.
Ai theksoi se, ndonëse disa dhjetëra kuti votash mbeten ende pa u numëruar, trendet e tanishme sugjerojnë se Lëvizja Vetëvendosje do të arrijë deri në 53 mandate. Ky numër mund të jetë edhe ai përfundimtar për këtë subjekt.
Cakolli po ashtu nënvizoi se gara për mandatin e fundit mbetet e hapur, e cila mund të ketë ndikim në përbërjen e Kuvendit. Sipas dinamikës aktuale, ai përmendi se Lidhja Demokratike e Kosovës mund të humbë mandatin e 19-të, ndërsa me shumë gjasa Partia Demokratike e Kosovës do të humbasë mandatin e 22-të.
“Kjo tregon se gara mes PDK-së dhe LDK-së për mandatin e fundit është shumë e ngushtë. Dallimi në koeficientë midis tyre mund të jetë më pak se 100 vota në përfundim të procesit,” deklaroi Cakolli.
Ai gjithashtu theksoi se votat me kusht mund të jenë vendimtare, pasi ato zakonisht ndjekin trendin e votimit brenda vendit dhe mund të favorizojnë PDK-në.
Sipas Cakollit, Aleanca pritet të mbetet me 7 ulëse në Kuvend. Ai njoftoi se numërimi i votave me postë do të përfundojë më së largu gjatë ditës së nesërme, ndërsa votat me kusht do të numërohen deri në mesnatë. Pas kësaj, mund të vazhdojë rinumërimi i disa vendvotimeve, në varësi të vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.



















You must be logged in to post a comment Login