Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Bulevardi i Gjilanit: Çfarë fshihet pas tenderit 18-milionësh? (VIDEO)

Bulevardi i Gjilanit: Çfarë fshihet pas tenderit 18-milionësh? (VIDEO)

Projekti për ndërtimin e Bulevardit të Qytetit në Gjilan përfaqëson një nga investimet më të mëdha kapitale të Komunës, me një vlerë të parashikuar prej rreth 18 milionë eurosh. Duke qenë se ky projekt ka një rëndësi të veçantë për zhvillimin urban, lëvizjen e qytetarëve dhe funksionimin e qendrës së qytetit, ai ka tërhequr një vëmendje të madhe publike.

Megjithatë, procedura e zhvillimit të prokurimit ka ngritur pyetje të shumta lidhur me konkurrencën, transparencën dhe arsyetimin e disa kritereve në dosjen e tenderit, sipas raportimit nga Kiks Kosova.

Tenderi është publikuar nga Komuna e Gjilanit më 18 mars 2025, duke u ofruar operatorëve vetëm 20 ditë për dorëzimin e ofertave. Më 23 maj, u publikua një dosje e përmirësuar, me afatin përfundimtar të vendosur vetëm tri ditë më vonë. Pavarësisht rekomandimeve për zgjatjen e këtij afati, Komuna nuk e ka bërë një gjë të tillë, përkundrazi ka justifikuar shkurtimin me nevojën që punimet të nisin para dimrit. Megjithatë, kontrata është nënshkruar në gusht 2025, ndërsa punimet kanë filluar rreth nëntë muaj më vonë.

Në përfundim, kontrata, me vlerë prej 17 milionë e 988 mijë eurosh, iu dha konzorciumit “B-Bardhi”, “Besa Company” dhe “Linda”, edhe pse dy ofertues të tjerë kishin paraqitur çmime të ulta për rreth gjysmë milion euro. Këta ofertues u eliminuan për mosplotësimin e disa kritereve teknike, të cilat janë bërë një nga çështjet më të diskutueshme në këtë proces.

Kriteret teknike të vendosura nga Komuna kërkonin pajisje, certifikata dhe makineri shumë specifike, disa prej të cilave ekspertët i kanë cilësuar si të panevojshme ose kufizuese. Ekspertët e OShP-së rekomanduan korrigjimin e dosjes dhe zgjatjen e afatit, por Paneli Shqyrtues i OShP-së e ka lënë në fuqi vendimin e Komunës, duke e konsideruar arsyetimin e ekspertëve si të paargumentuar.

Edhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka evidentuar se disa kërkesa mund të kufizojnë konkurrencën. Ata kundërshtuan kërkesën për 60 punëtorë të regjistruar në Administratën Tatimore dhe kritere të tjera, por rekomandimet e tyre nuk u adresuan plotësisht nga Komuna.

Mungesa e transparencës është ngritur nga opozita lokale e cila pretendon se projekti nuk u është prezantuar asamblistëve dhe qytetarëve. Gjithashtu, ata shprehin shqetësimin për të panjohurat lidhur me lejen ndërtimore dhe mungesën e çmimeve për mbi 1.500 pozita në kontratë, duke e bërë të pamundur një verifikim të plotë të kostos së punimeve.

Ndiqni në vijim kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova për këtë rast.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

Mund të ju pëlqejn

Advertisement