Tre persona kanë humbur jetën dhe një tjetër ndodhet në gjendje kritike pas një sulmi me armë zjarri në Isla Cristina, në provincën e Huelvës, në Spanjë. Ngjarja tragjike ndodhi të dielën mbrëma në lagjen Rocío. Një person i armatosur i dyshuar, që mbërriti me motoçikletë, hapi zjarr ndaj disa individëve para se të largohej nga vendi i ngjarjes.
Mes viktimave ndodhen një grua shtatzënë, nëna e saj dhe një adoleshent 16-vjeçar. Të tre ata u qëlluan në rrugë, ndërsa personi i katërt i plagosur rëndë është dërguar në spital për trajtim mjekësor.
Policia spanjolle ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sulmit dhe nuk përjashton mundësinë që ai të ketë lidhje me një konflikt të hershëm mes dy familjeve. Mediat lokale sugjerojnë se sulmi mund të ketë qenë një akt hakmarrjeje pas një vrasjeje që ndodhi në Huelva në muajin shtator.
Viktimat e sulmit të fundit dyshohet se kishin lidhje familjare me personin e përfshirë në atë ngjarje. Hetuesit janë angazhuar për identifikimin dhe kapjen e autorit, duke vijuar gjithashtu të hetojnë motivin e saktë të sulmit.
Që pas asaj ngjarjeje, dy familjet janë përfshirë në disa episode dhune, përfshirë edhe një incident të tjetër me armë zjarri në Isla Cristina. Prandaj, hetuesit nuk e përjashtojnë mundësinë që sulmi i së dielës të jetë pjesë e një serie hakmarrjesh mes këtyre familjeve.
Garda Civile dhe Policia lokale kanë nisur një operacion të gjerë për kapjen e të dyshuarit, i cili aktualisht është në arrati. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të sulmit vazhdojnë.



















You must be logged in to post a comment Login