Kandidati i zgjedhur nga Partia Demokratike e Kosovës, Artan Behrami, ka kërkuar nga Prokuroria që të nisë hetime për dyshimet mbi parregullsitë në procesin e votimit të diasporës.
Në një njoftim të shpërndarë në Facebook, Behrami theksoi se gjatë procesit të numërimit ka marrë ankesa nga numëruesit. Ai e ceku se janë raportuar raste me zarfa të hapura dhe të dyshimta, si dhe pretendime për manipulim të votave të diasporës.
“Prokuroria duhet të hetojë dyshimet mbi votat e diasporës. Gjatë procesit të numërimit kam pranuar shumë ankesa nga numëruesit për zarfa të hapura dhe për dyshime të mundshme mbi manipulim të votave”, shkroi ai.
Behrami gjithashtu ftoi qytetarët dhe individët që disponojnë informacione apo dëshmi mbi parregullsi të tilla, t’i raportojnë ato tek institucionet përkatëse.
“Ftoj të gjithë ata që kanë parë ose verifikuar parregullsi, që t’i raportojnë ato. Integriteti i procesit zgjedhor duhet të ruhet, dhe çdo dyshim të sqarohet nëpërmjet një hetimi transparent”, përfundoi Behrami.



















You must be logged in to post a comment Login