Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka shprehur kritika të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me situatën politike dhe moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Në një intervistë për “Edicionin Special” të Klan Kosovës, Behrami theksoi se vendi është duke kaluar një periudhë të vështirë institucionale. Ai gjithashtu nënvizoi se Republika e Kosovës po përjeton kohën më të errët që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.
“Republika e Kosovës është duke përjetuar periudhën më të rëndë dhe më të errët të historisë së saj. Për herë të parë, ajo ndodhet në një vakum institucional dhe të rendit kushtetues,” tha Behrami.
Ai akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se po refuzon të konstituojë Kuvendin, pavarësisht se sipas tij, kjo forcë ka votat e nevojshme për ta bërë këtë.
“Lëvizja Vetëvendosje ka mbi 61 vota për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për ta konstituuar atë,” shprehu Behrami. Ai shtoi se refuzimi i kësaj lëvizjeje për të vepruar, lidhet me strategjitë e saj për datën e zgjedhjeve, e cila është caktuar për 27 dhjetor.
Deputeti i PDK-së akuzoi Vetëvendosjen se është e gatshme të shkelë Kushtetutën dhe ligjet për të arritur qëllimet e saj.
“Për ta realizuar këtë datë, ata janë të gatshëm të shkelin normat demokratike dhe rendin kushtetues,” theksoi Behrami.
Ai e cilësoi situatën si një shenjë të pabesës ndaj Kushtetutës nga ana e Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar se po mundohet të imponojë një datë zgjedhjesh në mënyrë të jashtëligjshme.
“Z. Kurti po tenton të përmbysë rendin kushtetues, vetëm për të siguruar një shumicë solide pas 27 dhjetorit,” përfundoi Behrami.



















You must be logged in to post a comment Login