Mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 20:40, Policia e Kosovës ka realizuar një bastisje në një kafiteri në Prizren.
Kontrolli u bë mbi dyshimin se pronarët e lokalit, të cilët janë vëllezër, shpërndanin narkotikë dhe mbajnë armë zjarri.
Në momentin e bastisjes, policia ka gjetur në lokal një pistoletë “SIG” e cila kishte 9 fishekë. Sipas njoftimit të policisë, nuk është gjetur asnjë lloj narkotiku.
I dyshuari, një mashkull 29-vjeçar me inicialet D.P., është intervistuar për veprën penale sipas nenit 267 dhe nenit 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Këto nene trajtojnë mbajtjen e paautorizuar të armëve.
Pas kompletimit të procedurave, me urdhër të prokurorit të lëndës, D.P. është liruar.
Aksioni u realizua nga hetuesit e Drejtorisë së Hetimit të Trafikimit me Narkotik në Prizren, me asistencën e njësive të tjera të Policisë nga Stacioni Policor i Prizrenit. Kontrolli është kryer në përmbushje të një urdhërese të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren.



















You must be logged in to post a comment Login