Një autobus nga Kosova është ndaluar nga autoritetet hungareze pasi brenda tij janë gjetur armë dhe një zmadhues zëri. Kjo ngjarje është raportuar nga mediat hungareze.
Klankosova.tv ka kontaktuar me linjën e autobusit, Meti Comerc, e cila ka njoftuar se dërgesa ishte bërë nga një shtetas i Kosovës, një 24-vjeçar. Menaxheri i kompanisë tha se brenda javës kanë ndodhur katër raste të ngjashme. Ai sqaroi se rasti aktual ndodhi më 1 korrik, kur një 24-vjeçar kishte sjellë një dërgesë për në Belgjikë. Shoferët e autobusit e pranuan porosinë, por gjatë kontrollit në doganën hungareze, zyrtarët gjetën armë dhe zmadhuesin.
Pas zbulimit, menaxheri theksoi se rastin e kanë denoncuar në Policinë e Kosovës dhe se 24-vjeçari është arrestuar më 3 korrik. Ai gjithashtu sqaroi se shoferët e autobusit nuk janë ndaluar nga autoritetet hungareze, por autobusi është mbajtur për ekzaminim të mëtejshëm.
Një incident i ngjashëm ka ndodhur edhe me kompaninë “Pranvera Travel”. Menaxheri i kësaj kompanie ka konfirmuar për Klankosova.tv se një rrjet i organizuar është i përfshirë në këto raste.
Klankosova.tv ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës dhe është në pritje të detajeve të mëtejshme.
Be the first to comment