Këngëtari i njohur grek, Giorgos Mazonakis, ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare në spitalin “Elpis”. Shkaku i vdekjes dyshohet të jetë një arrest kardiak.
Një klinikë private e mjekësisë interne në Kolonaki kishte bërë thirrje për ndihmë në Qendrën Kombëtare të Ndihmës së Shpejtë (EKAB), pasi këngëtari kishte shkuar për një kontroll shëndetësor. Sipas stafit të klinikës, Mazonakis kishte pësuar një arrest kardiak.
Ekipi i EKAB-it mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nisi reanimimin kardiopulmonar (CPR). Pas disa minutash, këngëtari u transportua me ambulancë drejt spitalit “Elpis”, i cili ishte spitali më i afërt.
Përpjekjet për ta rikthyer në jetë vazhduan edhe në repartin e urgjencës, por këto përpjekje rezultuan të pasuksesshme. Mjekët konfirmuan vdekjen e tij.
Giorgos Mazonakis ishte një nga këngëtarët më të njohur të gjeneratës së tij në Greqi. Ai lindi në mars të vitit 1972 në Nikaia dhe e nisi karrierën profesionale në vitin 1992, kur ishte vetëm 20 vjeç. Gjatë më shumë se tri dekadave në skenë, ai u shndërrua në një emër të spikatur të muzikës greke, duke lënë pas një karrierë të gjatë dhe të suksesshme.
Be the first to comment