Gjykata e Apelit ka dhënë përfundimin e saj për aksidentin tragjik të ndodhur në nëntor 2022 në Jashanicë të Klinës, në të cilin humbi jetën kadeti policor F.Sh. Dënimet e shqiptuara ndaj Arton dhe Nezir Durakut janë konfirmuar.
Në vendimin e saj, të datës 4 mars 2026, Apeli refuzoi ankesat e prokurorisë, si dhe ato të mbrojtjes së të akuzuarve, duke vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë. Sipas këtij aktgjykimi, Arton Duraku është dënuar me 5 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa Nezir Duraku me 10 muaj burgim.
Në vendimin e Apelit, theksohet se ankesat nga Prokuroria Themelore në Pejë, përfaqësuesve të dëmtuar dhe avokatëve të të akuzuarve janë refuzuar si të pabazuara. Gjykata ka vërtetuar arsye të mjaftueshme për rikualifikimin e veprave penale nga forma e dashjes eventuale në atë të pakujdesisë. Ky përfundim është mbështetur në super-ekspertizën e komunikacionit, e cila tregon se Arton Duraku kishte ndërmarrë veprime për shmangien e aksidentit, megjithatë, aksidenti ndodhi për shkak të tejkalimit të shpejtësisë dhe kalimit në korsinë e kundërt.
Në lidhje me akuzat për mosdhënie ndihme, Apeli arriti në përfundimin se rikualifikimi në formën bazë të këtyre veprave është i drejtë, duke theksuar se viktima kishte ndërruar jetë shpejt për shkak të dëmtimeve të rënda. Edhe pse të akuzuarit e kishin parë viktimën dhe kishin dëgjuar thirrjet për ndihmë, ndihma eventuale nuk do të kishte ndikuar në shpëtimin e tij.
Apeli vlerësoi se dënimet ishin proporcionale me rrethanat e rastit. Si rrethana lehtësuese u morën parasysh mungesa e dënimeve të mëparshme për të akuzuarit, ndërsa si rrethana rënduese u konsideruan mosha e re e viktimës, statusi i tij si baba, si dhe largimi nga vendi i ngjarjes pa ofruar ndihmë.
Mbrojtja e Arton Durakut kërkoi ulje të dënimit dhe lirimin nga akuza për veprën e dytë, ndërsa Nezir Duraku kërkoi lirimin nga akuza ose rikthimin e rastit në rigjykim. Kolegji i Apelit, i përbërë nga gjyqtarët Mentor Hajra, Xhevdet Abazi dhe Valbona Musliu-Selimaj, nuk gjeti shkelje të procedurës penale dhe vlerësoi se gjendja faktike ishte vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë.
Ky rast ka kaluar nëpër disa faza gjyqësore. Në gjykimin e parë, Arton dhe Nezir Duraku ishin dënuar me gjithsej 15 vjet burgim, por vendimi u anuluar nga Gjykata Supreme dhe rastin e ktheu në rigjykim. Pas rikthimit, Gjykata Themelore në Pejë vendosi dënimet përkatëse, të cilat tani janë konfirmuar nga Gjykata e Apelit.
Aksidenti kishte ndodhur më 21 nëntor 2022, kur Arton Duraku, pa patentë shoferi, po drejtonte një kamion të paregjistruar dhe teknikisht të parregullt, dhe goditi automjetin e kadetit F.Sh., duke shkaktuar vdekjen e tij. Pas aksidentit, ai dhe Nezir Duraku kishin braktisur vendin e ngjarjes pa ofruar ndihmë.



















You must be logged in to post a comment Login