Gjykata e Apelit ka konfirmuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte refuzuar kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës në rastin ku akuzohen Faruk Mujka, kryeshef ekzekutiv i Ndërmarrjes Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc”, dhe Hysen Muzliukaj, ish-drejtor për Gjeodezi në Mitrovicë, për korrupsion.
Sipas aktakuzës, Mujka, si nënkryetar i Komunës së Mitrovicës, dhe Muzliukaj, si Drejtor i Gjeodezisë, Kadastër dhe Pronë, akuzohen për keqpërdorimin e detyrës zyrtare në lidhje me një rast të këmbimit të pronës së ish-Bankosit për pronë private. Gjithashtu, Mujka po ashtu akuzohet për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, pasi në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit, nuk ka deklaruar 60,050 eurot e sekuestruara në shtëpi.
Në vendimin e Apelit, theksohet se ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, avokatët Xhafer Tahiri dhe Ahmet Tahiri, janë refuzuar si të pabazuara. Gjykata e Apelit vërejti se aktvendimi i Gjykatës Themelore të datës 16 dhjetor 2025 është i saktë.
Mbrojtja kishte kërkuar që të aprovoheshin ankesat e tyre dhe të shpalleshin provat si të papranueshme, duke kërkuar po ashtu që aktakuza të hidhej poshtë dhe procedura penale ndaj të akuzuarve të ndalohej. Në anën tjetër, Prokuroria e Apelit kishte propozuar refuzimin e këtyre ankesa dhe vërtetimin e aktvendimit të ankimuar.
Gjykata e Apelit vlerësoi se pretendimet e ankimore nuk janë të bazuara, për shkak se gjykata e shkallës së parë kishte shqyrtuar në mënyrë të mjaftueshme pretendimet dhe kishte ofruar arsyetim të qartë dhe juridikisht të qëndrueshëm për aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).
Apeli thekson se pretendimet e mbrojtjes për tejkalim të kompetencave procedurale nga ana e gjykatës nuk qëndrojnë, pasi gjykata e shkallës së parë nuk ka marrë një vendim përfundimtar mbi fajësinë e të akuzuarve, por ka bërë një vlerësim paraprak të provave.
Në fund, kolegji i Apelit konfirmoi se arsyetimi i gjykatës së shkallës së parë nuk përbën paragjykim të rezultatit përfundimtar të procedurës penale dhe se çdo vlerësim përfundimtar i provave do të bëhet pas administrimit të të gjitha provave në shqyrtimin gjyqësor.
Vendimi i Apelit është marrë më 20 shkurt 2026, dhe është nënshkruar nga kolegji i përbërë nga Albina Shabani-Ramës, si kryetare, dhe anëtarët Valon Kurtaj dhe Vaton Durguti.
Më herët, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës pas shqyrtimit të pretendimeve të mbrojtjes dhe kishte konstatuar se aktakuza është ngritur në përputhje me ligjin. Të dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm gjatë seancës fillestare më 20 tetor 2025.
Be the first to comment