Ish-ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka dhënë një deklaratë për mediat pas përfundimit të intervistimit të tij nga Prokuroria Speciale, lidhur me çështjen e ambalazhuesve të ujit.
Ai shprehu ndjenjën e lehtësimit që pas dy vitesh heshtjeje, pati mundësinë të sqarojë situatën përpara organit të akuzës. Aliu theksoi se kishte dëshmuar mbi sulmet dhe pretendimet që janë bërë ndaj tij, të cilat, sipas tij, kishin degraduar në mënyrë të konsiderueshme.
“Kam vepruar gjithnjë në përputhje me ligjin gjatë gjithë periudhës që kam qenë ministër,” tha Aliu. Ai theksoi se ka ndjekur rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe se nuk ka asnjë vendim që mund ta lidhë atë me këtë proces.
Përsa i përket pretendimeve për mosveprim, ai sqaroi se rasti ishte audituar nga Zyra Kombëtare e Auditimit dhe se ishin marrë rekomandime, të cilat ishin zbatuar. Aliu theksoi gjithashtu se kishte pasur një hetim që sqaronte rolin e tij si ministër në administratë dhe shprehu kënaqësinë që pati mundësinë të sqarojë gjithçka nga fillimi deri në fund. “Tani ndihem i lehtësuar,” përfundoi ai.



















You must be logged in to post a comment Login