Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, i është përgjigjur ftesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili dërgoi një ftesë për takim tri partive politike.
Në një letër të publikuar në Facebook, Gjini shprehu se takimi nuk është i domosdoshëm. Ai rikujtoi ofertën e Aleancës për mbështetje në themelimin e institucioneve të reja të Kosovës.
“Më 26 qershor 2026, kam paraqitur publikisht ofertën tonë për mbështetje në krijimin e institucioneve të reja. Aleanca është e gatshme të kontribuojë pa kushte në arritjen e kuorumit për zgjedhjen e Presidentit, për sa kohë që mandatari pranon gjashtë pikat e ofertës sonë. Kjo ofertë ka për qëllim zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit, duke shmangur një tjetër cikël zgjedhor. Në këtë kuadër, ne nuk e shohim si të nevojshëm takimin,” ka deklaruar Gjini.
Gjashtë kërkesat e Aleancës për institucionet e reja përfshijnë:
-
Orientimi strategjik dhe gazi amerikan: Pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan si një hap të rëndësishëm për zhvillimin afatgjatë të shtetit.
-
Pavarësia energjetike: Fillimi i procedurave për ndërtimin e termocentralit me thëngjill për të garantuar zhvillimin ekonomik dhe uljen e inflacionit.
-
Lehtësime për bizneset e vogla: Rritja e pragut të TVSH-së nga 30,000 në 100,000 euro për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
-
Mbështetje për bujqësinë: Lirimi i plotë i tokës së punuar nga tatimi në pronë, për të inkurajuar punimin e tokës dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për bujqit.
-
Buxhetimi i infrastrukturës: Financoni i plotë buxhetor për projektet e infrastrukturës jetike që janë ndalur për shkak të mungesës së mjeteve.
- Fondi emergjent për kryeqytetin: Ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard euro për Prishtinën, e cila po përballet me vështirësi për shkak të mungesës së investimeve.
Pavarësisht se Aleanca beson se Ramush Haradinaj do të ishte presidenti më i mirë, Gjini theksoi se ky nuk është një kusht për procesin. Ai shprehu shqetësimin se mungesa e një marrëveshjeje mes partive të tjera mund të sjellë një krizë të vazhdueshme në vend.
“Ne e mbështesim çdo marrëveshje mes partive. Në një vend normal, nuk do të kishte rëndësi se cili zgjidhet i pari, presidenti apo qeveria. Kur kjo bëhet temë bllokade, përbën një shkelje të kushtetutës. Nuk mund të pranojmë që Kosova të mbetet në krizë,” përfundoi kryetari Gjini, duke theksuar se këto pika mbeten të panegociueshme për mbarëvajtjen e procesit.
Be the first to comment