Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Aktakuzë ndaj personit që planifikoi vrasje të trefishtë

Aktakuzë ndaj personit që planifikoi vrasje të trefishtë

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj Mahmut Hoxhajt, për të dyshuar se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, ngjarja e supozuar ka ndodhur më 17 tetor 2025, rreth orës 16:15, në rrugën “Miftar Zeqa” në Pejë. I pandehuri, M.H., dyshohet se ka vepruar nga hakmarrja me qëllim të privimit nga jeta të tre personave, konkretisht B.G., A.G. dhe B.G., duke rrezikuar gjithashtu jetën e të dëmtuarit A.U.

I pandehuri, pasi kishte siguruar dy armë të gjata të tipit AK-47, dy armë të shkurtra dhe një sasi të konsiderueshme municioni, ka monitoruar lëvizjet e të dëmtuarve pranë Qendrës së Paraburgimit në Pejë. Kur të dëmtuarit ishin duke u larguar me një automjet, M.H. dyshohet se ka qëlluar me armë drejt tyre, duke përdorur dy armët e gjata.

Si pasojë e të shtënave, A.U., që ishte drejtuesi i automjetit, ka pësuar lëndime të rënda, bashkë me B.G. Po ashtu, është rrezikuar jeta e A.G. dhe B.G. Së bashku me lëndimet personale, janë dëmtuar edhe automjeti në të cilin ndodheshin të dëmtuarit, dy automjete të tjera, si dhe një xham dhe pjesë e inventarit të Gjykatës Themelore në Pejë, për shkak të një fisheku që ka depërtuar në objekt.

Veprimet e të pandehurit janë ndërprerë pas intervenimit të Policisë së Kosovës, e cila ka arrestuar M.H. dhe ka parandaluar vazhdimin e veprimeve të tij.

Gjithashtu, në aktakuzë dyshohet se Mahmut Hoxhaj kishte poseduar pa autorizim disa armë dhe municion, përfshirë dy armë të gjata, një pistoletë RPX9, një revolver DEIT, si dhe municion të kalibrave të ndryshëm, të cilat janë sekuestruar nga Policia.

Në përfundim, ekziston dyshimi i bazuar se M.H. ka përmbushur elementet e veprave penale të përmendura. Në ngritjen e aktakuzës, prokurori ka propozuar që gjykata ta shpallë të pandehurin fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprat penale që i janë vënë në barrë.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

Mund të ju pëlqejn

Advertisement