Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy individëve, të identifikuar me inicialet B.K. dhe N.Rr., për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, B.K., si Kryeshef Ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, dyshohet se ka tejkaluar kompetencat e tij gjatë viteve 2020 dhe 2021. Ai akuzohet për mosrespektimin e procedurave ligjore të punësimit, duke nënshkruar 89 kontrata pune, prej të cilave 37 ishin me afat të caktuar, pa shpallur konkurs publik.
Në aktakuzë theksohet se personat e angazhuar kanë mbuluar pozita të rregullta pune dhe se janë bërë avancime pa respektimin e procedurave të nevojshme ligjore. Prokuroria vlerëson se këto veprime i kanë shkaktuar ndërmarrjes një dëm në vlerë prej 114,535.06 euro.
Nga ana tjetër, N.Rr., në cilësinë e koordinatorit në KRM “Pastrimi”, dyshohet se, në mars 2021, ka kërkuar dhe pranuar 1,500 euro nga disa individë. Ai u kishte premtuar se do të ndikonte te kryeshefi ekzekutiv për t’i punësuar ata në kompani.
Prokuroria e akuzon atë për veprime me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, duke ushtruar ndikim në vendimmarrje. Prokurori i rastit ka propozuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të dy të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas legjislacionit në fuqi.
Be the first to comment