Pas një hetimi të kryer përmes masave të fshehta, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve, në bashkëpunim me zyrtarë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë, kanë realizuar një operacion policor në Prizren.
Gjatë operacionit, janë arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale “Fajdeja.”
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, konfirmoi për Klankosova.tv se gjatë përpjekjes për të arrestuar një nga të dyshuarit, ai nuk është ndalur me automjet. Gjatë ikjes, ka goditur një vajzë 17-vjeçare si dhe një zyrtar policor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë. Të dy, sipas mjekëve, janë jashtë rrezikut për jetë.
Bytyqi theksoi se gjatë tentativës për arrestim, i dyshuari vazhdoi ikjen dhe goditi këmbësoren dhe zyrtarin. Pas veprimeve të shpejta të zyrtarëve policorë, ai u ndalua dhe u arrestua.
Përveç arrestimit, gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar para që dyshohet se janë përdorur për qëllime të simulimit.
Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po vazhdon hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe të rrethanave të tjera të ndërlidhura.



















You must be logged in to post a comment Login