Një tragjedi e rëndë ka goditur fshatin Topanicë në Kamenicë, pasi dy vajza të reja, E. Zubaku, 24 vjeçe, dhe A. Zubaku, 18 vjeçe, humbën jetën në një aksident fatale në autostradën A5 në Gjermani.
Policia gjermane ka ofruar detaje mbi këtë ngjarje për Klankosova.tv. Sipas informacioneve, dy aksidente u raportuan në të njëjtin vend. Aksidenti i parë ndodhi pak pas orës 11:30, pranë zonës së pushimit Renchtal.
Gjatë një manovre ndërrimi korsie, dy automjete u përplasën nga korsia e mesme në atë të majtë. Pavarësisht përpjekjeve, drejtuesit e automjeteve humbën kontrollin mbi këto, duke u ndalur në rrugë. Një person u plagos rëndë gjatë këtij aksidenti.
Pamja e krijuar nga aksidenti i parë detyroi drejtuesit e automjeteve që po lëviznin pas tyre të frenonin papritur. Si pasojë, pranë nyjës së Appenweierit ndodhi një aksident tjetër i rëndë, në të cilin u përfshinë pesë automjete, sipas njoftimit të policisë gjermane.
Nga pesë automjetet e përfshira, katër nuk pësuan lëndime, por dy vajzat që udhëtonin në një automjet tip Smart humbën jetën në vendngjarje për shkak të plagëve të rënda.
Për shkak të operacioneve të shpëtimit, hetimeve dhe pastrimit të rrugës, drejtimi verior i autostradës A5 u mbyll për disa orë. Më vonë, policia njoftoi se të gjitha veprimet në vendngjarje përfunduan dhe qarkullimi u rikthye në normalitet.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidenteve janë në vazhdim, ndërsa dëmi material paraprak vlerësohet të jetë mbi 100 mijë euro.
Be the first to comment