Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas zhvillimit të një takimi me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ka sqaruar temat e diskutimit.
Ai theksoi se LDK-ja nuk ka interes për postin e kryeparlamentarit, të cilin e përshkroi si “ceremonial”. Abdixhiku shprehu gatishmërinë e LDK-së për të shmangur zgjedhjet e reja, duke theksuar se kjo përbën një respektim të deritanishëm të rezultatit zgjedhor dhe interesit të Republikës.
“Takimi ishte konstruktiv, ku diskutuam mbi çështje programore dhe politike. Do të synojmë të vazhdojmë bisedimet në ditët në vijim. Nevojitet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe një balancë demokratike brenda institucioneve të Republikës. LDK duhet të ndihet e përfaqësuar. Ndryshe, kontributi i saj dhe konstelacioni politik i krijuar do të humbasin forcën e nevojshme për të vepruar. Nëse nuk arrihet ndonjë përparim, zgjedhjet e reja do të bëhen të pashmangshme”, ka thënë ai.
Abdixhiku gjithashtu përmendi se nëse LDK arrin një partneritet me palën tjetër, duhet të ndihet e përfaqësuar. Ai theksoi se ende janë në diskutim parimet dhe se nuk kanë folur për emra konkretë. Sipas tij, nëse deri më 6 gusht nuk arrihet ndonjë marrëveshje, LDK ka kërkuar që procedurat për formimin e Kuvendit të vazhdojnë. Ai përsëriti se LDK nuk ka asnjë dëshirë për postin e kryetarit të Kuvendit, duke e karakterizuar si një post ceremonial, dhe theksoi se është e rëndësishme të zgjidhet situata sa më shpejt.



















You must be logged in to post a comment Login