Emilja Rexhepi, përfaqësuese e Partisë së Re Demokratike (Nova Demokratska Stranka), ka deklaruar në “Info Magazinë” të Klan Kosovës se përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë do të veprojnë në mënyrë konstruktive gjatë procesit të formimit të institucioneve. Prioritet mbetet konstituimi i shpejtë të tyre.
Ajo theksoi se renditja e konstituimit të institucioneve ka mbetur e pandryshuar që nga viti 2009. Sipas saj, pavarësisht se nga cila parti politike vjen kandidati për kryeministër, përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë do ta mbështesin formimin e institucioneve.
“Që nga viti 2009, renditja e konstituimit të institucioneve ka qenë e njëjtë. Fillimisht votohet kryetari i Kuvendit, më pas nënkryetarët, për të siguruar që Kuvendi të jetë plotësisht i konstituar. Pas kësaj krijohet Qeveria dhe në fund votohet Presidenti i shtetit. Ne, si përfaqësues të komuniteteve joshumicë, dëshirojmë të jemi konstruktivë. Pavarësisht nga partia politike e kandidatit për kryeministër, nëse krijohen kushtet, do ta jap votën time që Kosova të mos stagnon, pasi qytetarët presin institucione funksionale sa më shpejt,” tha Rexhepi.
Ajo gjithashtu theksoi se sfida më e madhe mbetet zgjedhja e presidentit, pasi kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve për fillimin e këtij procesi.
“Çështja më sfiduese mbetet zgjedhja e Presidentit, pasi për të nisur procesin, nevojiten të paktën 80 deputetë të pranishëm në sallë. Është detyra e të gjithëve që ta konstituojnë Kuvendin sa më shpejt, ta formojnë Qeverinë dhe më pas ta zgjedhin Presidentin,” shtoi ajo.
Kur u pyet se kë do ta mbështesin si komunitet për president, Rexhepi theksoi se figura e ardhshme e presidentit duhet të jetë unite për të gjithë qytetarët.
“Është e rëndësishme që presidenti të përfaqësojë të gjithë qytetarët e Kosovës. Duhet të jetë një figurë që shquhet për ndershmëri, integritet dhe profesionalizëm, me të cilin gjithë qytetarët mund të identifikohen. Jam e sigurt se ka persona të tillë në Kosovë. Nuk do ta mbështesim një kandidat kontrovers që dëmton karakterin multietnik të Kosovës. Fillimisht duhet përfunduar procesi i konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, e më pas do të vijë në rend dite zgjedhja e Presidentit,” përfundoi ajo.
Be the first to comment