Eutanazia ishte tema e diskutimit në Programin e Mëngjesit, ku ishin të ftuar doktoreshë Aurora Dollenberg, psikologja Bora Dime dhe avokati Asdren Bytyqi.
Një rast i fundit në Holandë, ku një ligj i ri lejon eutanazinë për fëmijët nga 1 deri në 12 vjeç në kushte të rrepta, ka zgjuar debate mbi përmbushjen e procedurave të nevojshme.
Doktoresha Dollenberg ofroi sqarime rreth kësaj çështjeje, duke theksuar se eutanazia aplikohet zakonisht kur palët e përfshira bien dakord. Ajo shpjegoi se termi “eutanazi” vjen nga greqishtja e vjetër dhe përkthehet si “vdekje e mirë”. Sipas saj, përdorimi i këtij termi në mjekësi nënkupton situatat kur jeta e një pacienti bëhet jashtëzakonisht e dhimbshme, dhe sëmundja e tij është e pashërueshme.
Nga ana tjetër, avokati Bytyqi shprehu kundërshtimin e tij ndaj eutanazisë. Ai e përshkroi atë si një praktikë që cënon shenjtërinë e jetës, duke theksuar se jeta është një dhuratë e Zotit dhe që sëmundjet, sado të dhimbshme të jenë, janë prova që njeriu duhet t’i durojë gjatë jetës së tij.
Psikologia Dime, gjithashtu, ndau mendimin e saj mbi legalizimin e eutanazisë në raste të caktuara. Ajo shprehu se është pro këtij procesi, për sa kohë që të jenë të pranishëm mjekët, familjarët dhe individi i prekur, dhe se të gjithë janë të vetëdijshëm për arsyet që i çojnë në një vendim të tillë. Ajo theksoi se një vendim i tillë nuk merret lehtë.
Be the first to comment