Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur një aktakuzë ndaj E.K., i dyshuar për posedim dhe shitblerje të paautorizuar të narkotikëve.
Sipas aktakuzës, fillimisht policia gjeti 945 euro dhe 2 mijë lekë. Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, u sekuestruan gjithashtu 9,990 euro, 10 franga zvicerane, si dhe 187.41 gram marihuanë dhe 4.56 gram kokainë. Po ashtu, u gjetën mjete që dyshohet se janë përdorur për përgatitjen dhe shpërndarjen e drogës.
Prokuroria njofton se E.K. akuzohet se më datë 12 shtator 2025, rreth orës 20:15, në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë, me qëllim të shitjes ose shpërndarjes së paautorizuar, ka poseduar substanca të cilat janë të klasifikuara si narkotikë. Gjatë ndaljes nga Policia e Kosovës, në çantën e tij u gjetën 9 qese plastike me substancë narkotike peshojnë gjithsej 12.82 gram, si dhe shumën e parave.
Pas kësaj, është realizuar një kontroll dhe bastisje në shtëpinë e të pandehurit, ku janë sekuestruar 9,990 euro, 10 franga zvicerane dhe disa mjete të tjera si peshore digjitale, qese najloni, gërshërë dhe një lugë e vogël, të cilat kanë shërbyer për përgatitjen e substancës narkotike.
Sipas raportit të Agjencisë së Kosovës për Forenzik, substancat e sekuestruara përfshijnë 187.41 gram marihuanë dhe 4.56 gram kokainë. Për këto veprime, E.K. akuzohet për “blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve” sipas nenit 267, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Prokurori i çështjes ka propozuar që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale që i vihet në barrë.
Be the first to comment