Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar qytetarët për 27-vjetorin e Ditës së Çlirimit të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku theksoi se më 12 qershor 1999 përfundoi njëherë e përgjithmonë vuajtja shekullore e shqiptarëve nën regjimin serb. Ai kujtoi se ky datë shënon çlirimin përfundimtar të Kosovës nga okupimi dhe sundimi shfarosës serb.
“27 vjet më parë Kosova u çlirua nga një regjim barbar që shkaktoi dhunë dhe shkatërrim në çdo cep të vendit. Rrezet e lirisë filluan të shpërndanin retë e zeza të vuajtjeve, duke sjellë një shpresë të re për popullin tonë. Këto rreze lirie erdhën si rezultat i një rezistence paqësore të udhëhequr nga Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova, si dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që përfundoi me intervenimin ushtarak të NATO-s,” shkroi ai.
Abdixhiku theksoi gjithashtu se liria erdhi falë sakrificës të brezave të ndryshëm dhe përkushtimit të partnerëve ndërkombëtarë. Ai kujtoi krimet e regjimit serb, si masakrat ndaj civilëve dhe deportimin e mbi një milion shqiptarëve nga shtëpitë e tyre.
“Pas 78 ditësh bombardimesh nga Aleanca e NATO-s, regjimi famëkeq erdhi në fund. Në këtë përvjetor, nderojmë sakrificat e atyre që kontribuan në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Jemi gjithmonë mirënjohës ndaj SHBA-ve, BE-së, NATO-s dhe të gjitha vendeve demokratike që na mbështetën. Urime Dita e Çlirimit, Kosovë!” përfundoi Abdixhiku.
















You must be logged in to post a comment Login