Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet e tjera të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar ekstradimin e dy shtetasve nga Zvicra dhe Shqipëria në Kosovë.
Sipas një njoftimi zyrtar, i dyshuari i parë ishte arrestuar në Zvicër, pasi kishte qenë në kërkim ndërkombëtar përmes INTERPOL-it. Ai ishte i kërkuar me letër rreshtim të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale të grabitjes dhe kishte shmangur drejtësinë.
“Ekstradimi u realizua në përputhje me ligjet në fuqi dhe falë bashkëpunimit efektiv mes institucioneve të Kosovës dhe Zvicrës. Pas ekstradimit, i dyshuari i është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë në rajonin e Gjilanit për veprime të mëtejshme ligjore,” thuhet në njoftim.
Në të njëjtën kohë, policia njoftoi se i dyshuari i dytë ishte arrestuar nga autoritetet shqiptare në pikën kufitare në Vërmicë. Ai ishte kërkuar gjithashtu përmes INTERPOL-it me letër rreshtim për veprën penale të arratisjes nga institucioni. Ky shtetas kishte qenë i dënuar për dhënie ndihme në një rast të vrasjes së rëndë dhe ishte privuar nga liria me vendim të ligjshëm.
“I dyshuari, pas ekstradimit, iu është dorëzuar njësive përkatëse të policisë në rajonin e Pejës për vazhdim të procedurave ligjore,” përfundon njoftimi.



















You must be logged in to post a comment Login