Pas një periudhe kërkimesh të zgjatura prej gati dy vitesh, duket se po zbardhet misteri i zhdukjes së Mark Joris, një belg 72-vjeçar, i cili humbi pa gjurmë gjatë një ecjeje malore në Shqipëri në shtatorin e vitit 2024.
Mediat belge raportojnë se janë gjetur sendet e tij personale, si dhe mbetje mortore, në një shpat mali që ndodhet në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Këto informacione vijnë pas një sërë përpjekjesh për ta gjetur atë.
Joris u nis për në Shqipëri më 8 shtator 2024, me planet për të kaluar disa ditë duke ecur dhe kampuar i vetëm. Vajza e tij, Tine, e kishte përshkruar atë si një alpinist me përvojë, duke theksuar se merrte pjesë në gara sportive dhe kishte udhëtuar në mënyrë të ngjashme për rreth 25 vjet.
Siç raportojnë burimet, në udhëtimet e mëparshme ai nuk kishte pasur asnjë problem, por këtë herë ndodhi ndryshe. Pas 11 shtatorit, çdo gjurmë e tij u humb dhe Policia Federale belg përditësoi njoftimin për person të zhdukur më 19 shtator.
Mark Joris po përshkonte “High Scardus Trail”, një shteg malor që kalon nëpër Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Ai mbërriti në një bujtinë malore në Peshkopi dhe qëndroi deri më 11 shtator, kur dyshohet se vazhdoi udhëtimin drejt fshatrave të Maqedonisë së Veriut.
Vajza e tij theksoi se babai zakonisht flinte në tendën e tij dhe rrallë qëndronte te banorët lokalë. Pas një natë në një shtëpi pritëse, ai kontaktoi për herë të fundit me familjen, para se ata të humbnin çdo informacion për të.
Pas njoftimit të humbjes, ekipet e kërkimit u angazhuan në operacione të gjera, por pa rezultate pozitive për shkak të terrenit të vështirë. Familja gjithashtu organizoi fushata për mbledhje fonde për të mbështetur kërkimet.
Më 29 korrik 2026, vajza e Mark Joris njoftoi se babai i saj ishte gjetur. Policia kufitare e Maqedonisë së Veriut, gjatë kërkimeve për një rast tjetër, gjeti çantën e tij dhe disa sendet personale, si edhe mbetjet mortore.
Sipas Tines, sendet ishin gjetur të shpërndara në një shpat mali, dhe ajo beson se Mark Joris ka humbur jetën gjatë një aksidenti më 15 shtator 2024. Ajo shprehu shqetësimin se familja nuk mund të marrë kurrë përgjigje për shumë pyetje rreth humbjes së tij, por ajo ndjeu një lehtësim që kërkimet kishin përfunduar.
Mark Joris, i njohur për pasionin e tij për alpinizmin, jetonte në Mortsel të Belgjikës dhe kishte qenë muzikant në Brussels Philharmonic, si dhe kishte drejtuar orkestrat lokale. Autoritetet tani pritet të konfirmojnë identitetin e mbetjeve pas analizave të ADN-së.



















You must be logged in to post a comment Login