DJ dhe muzikanti francez i elektropopit, Kavinsky, i cili performoi në ceremoninë e mbylljes së Lojërave Olimpike Verore 2024 në Paris, është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në Paris.

I lindur në Paris, Kavinsky ishte një figura kyç në skenën e muzikës elektronike French Touch, krahas artistëve të njohur si Daft Punk. Ai ishte i lidhur ngushtë me botën e filmit, veçanërisht përmes një miqësie dhe bashkëpunimi të gjatë me muzikantin dhe regjisorin Quentin Dupieux. Në filmin e tij “Steak” (2007), që përmban muzikën e Kavinsky-t, ai provon gjithashtu veten si aktor.

Së fundmi, ai u shfaq në filmin francez të Netflix-it, “Banger”, me Vincent Cassel.

Gjatë karrierës së tij muzikore, Kavinsky publikoi dy albume. Albumi debutues “OutRun” doli në vitin 2013, ndërsa nëntë vjet më pas, ai publikoi “Reborn”. Hiti i tij më i njohur, “Nightcall”, është pjesë e albumit të parë dhe është frymëzuar nga videolojërat e viteve ’80, serialet policore si “Miami Vice”, dhe filmat e Dario Argento.

Pas lajmit për vdekjen e tij, Presidenti francez Emmanuel Macron shprehu admirim për muzikantin, duke e cilësuar atë si “krenari të përjetshme të Francës”.