Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, ka marrë një letër falënderimi nga familja Bytyqi për veprimin e tij të shpejtë dhe profesional, i cili shpëtoi jetën e një vajze 9-vjeçare. Ai e konfirmoi këtë ngjarje për Klankosova.tv.

Ngjarja ka ndodhur më 24 korrik në autostradë, pranë “Kroit të mbretit”. Familjarët e vajzës ndaluan automjetin e Hotit dhe kërkuan ndihmë urgjente, pasi vajza kishte humbur ndjenjat dhe nuk merrte frymë.

Hoti reagoi menjëherë duke iu ofruar ndihmën e parë dhe njoftoi policinë përmes numrit emergjent 192. Falë ndërhyrjes së tij, ai arriti ta rikthejë frymëmarrjen e vajzës deri në mbërritjen e autoambulancës, e cila e transportoi më pas për trajtim të nevojshëm.

Në letrën e falënderimit, familja Bytyqi shprehu mirënjohjen e thellë për profesionalizmin, qetësinë dhe humanizmin e treguar nga Hoti, duke theksuar se reagimi i tij ishte vendimtar për shpëtimin e jetës së vajzës.

Ky rast është një shembull i përkushtimit dhe humanizmit që zyrtarët policorë tregojnë për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

Familja Bytyqi e përfundoi letrën e tyre me një mesazh mirënjohjeje drejtuar z. Avdi Hoti, duke e falënderuar atë për ndihmën dhe përkushtimin që tregoi në ato momente të vështira. Ata shprehën vlerësimin e tyre për qetësinë dhe profesionalizmin e tij dhe theksuan se njerëz si ai japin besim dhe shpresë.

Në përfundim, ata i dëshirojnë shëndet, mbarësi dhe suksese në punën e tij, duke kërkuar që Zoti ta bekojë dhe ruajë gjithmonë.