Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se rikthimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, të cilët dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, duhet të realizohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet vigjente. Ai thekson se ruajtja e karakterit shumetnik të institucioneve duhet të shkojë paralelisht me garantimin e pavarësisë dhe cilësisë së sistemit të drejtësisë.
Këto qëndrime Kurti i shprehu gjatë një takimi të premten me të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.
Sipas një njoftimi të Qeverisë së Kosovës, në takim u diskutua për zhvillimet në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe progresin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë kontekst, Kurti theksoi se Kosova mbetet e angazhuar për një qasje konstruktive në dialog. Ai u shpreh se “Republika e Kosovës i përmbahet angazhimit konstruktiv dhe punon për paqe të qëndrueshme, siguri euro-atlantike, stabilitet afatgjatë dhe fqinjësi të mirë evropiane”.
Një nga çështjet kryesore të bisedimeve ishte kthimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë, të cilët u larguan nga institucionet kosovare në vitin 2022. Në përgjigje të interesimit të Sorensenit për këtë çështje, Kurti nënvizoi se procesi duhet të zhvillohet në përputhje me rendin kushtetues dhe ligjor të vendit.
Ai theksoi se “Qeveria e Kosovës afirmon dhe insiston në kushtetutshmëri dhe ligjshmëri, barazi të qytetarëve, si dhe përfshirje të të gjitha komuniteteve. Të punësuarit në institucionet e Republikës duhet të jenë nga të gjitha etnitë dhe të karakterizohen nga kompetenca profesionale dhe integriteti etik”.
Kurti po ashtu theksoi se dorëheqjet kolektive të zyrtarëve serbë në veri kishin për qëllim cenimin e përbërjes shumetnike të institucioneve të Kosovës. Ai shpjegoi se “dorëheqjet kolektive të para katër vjetëve në veri të Ibrit kishin pikërisht si synim rrënimin e përbërjes shumetnike të sistemit tonë demokratik”.
Në fund, ai theksoi se rruga përpara duhet të përcaktohet nga Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, që në rastin e sistemit gjyqësor, synon ruajtjen e shumetnisë, ndërsa garanton pavarësinë dhe cilësinë e drejtësisë.
Sipas njoftimit të Qeverisë, gjatë takimit u diskutuan edhe çështje të tjera që lidhen me procesin e dialogut, duke u përqendruar në rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit, me theks të veçantë mbi nevojën për respektimin e plotë të obligimeve që burojnë nga këto marrëveshje.
Be the first to comment