Gjykata e Apelit ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte refuzuar kërkesat për të kontestuar provat dhe për hedhjen e aktakuzës në rastin ku Faruk Mujka, kryeshef ekzekutiv në Ndërmarrjen Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc”, dhe Hysen Muzliukaj, ish-drejtor për Gjeodezi në Mitrovicë, akuzohen për korrupsion.
Sipas aktakuzës, Mujka, në rolin e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, dhe Muzliukaj, si Drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me këmbimin e pronës së ish-Bankosit me pronë private. Mujka gjithashtu akuzohet për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, duke mos deklaruar 60 mijë e 50 eurot që iu sekuestruan në shtëpi.
Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuara ankesat e paraqitura nga avokatët e të akuzuarve, Xhafer Tahiri dhe Ahmet Tahiri, duke theksuar se aktvendimi i Gjykatës Themelore, i datës 16 dhjetor 2025, përfaqëson një vlerësim të drejtë të provave.
Mbrojtja kishte kërkuar që të shpalleshin provat të papranueshme dhe të hedheshin aktakuzat, ndërsa Prokuroria e Apelit propozoi refuzimin e këtyre ankesave dhe konfirmimin e vendimit të shkallës së parë.
Sipas Gjykatës së Apelit, pretendimet ankimore nuk qëndrojnë, pasi gjykata e shkallës së parë kishte shqyrtuar mjaftueshëm pretendimet dhe kishte ofruar arsyetim të qartë për vazhdimin e procedurës penale. Vendimi konstaton se pretendimet e mbrojtjes për tejkalimin e kompetencave procedurale nuk mbajnë ujë, duke theksuar se vendimi i shkallës së parë nuk përbën paragjykim përfundimtar mbi fajësinë.
Kolegji i Apelit, përbërë nga Albina Shabani-Rama, Valon Kurtaj dhe Vaton Durguti, është shprehur se vendimi i shkallës së parë ka bërë një vlerësim paraprak të provave, duke siguruar që gjykimi përfundimtar mbi fajësinë do të bëhet vetëm pas administrimit të të gjithave provave.
Nëse aktakuzat janë ngritur në përputhje me ligjin dhe ekzistojnë prova të mjaftueshme, ky proces do të vazhdojë, me dy të akuzuarit që u deklaruan të pafajshëm në seancën fillestare më 20 tetor 2025. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzën më 9 shtator 2025 për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për mosraportim të pasurisë nga të akuzuarit.
Be the first to comment