Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Zbulohen dizajnet e propozuara të bankënotave të reja EURO

Zbulohen dizajnet e propozuara të bankënotave të reja EURO

Banka Qendrore Evropiane (BQE) shpalli së enjtes propozimet e saj për dizajnin e serisë së re të kartëmonedhave euro. Kjo iniciativë shoqërohet me një anketë publike, e cila fton qytetarët në të gjithë Evropën të ndajnë mendimet e tyre.

Propozimet bazohen në dy tema kryesore: “Kultura Evropiane” dhe “Lumenjtë dhe shpendët”, të cilat ilustrohen me motive përkatëse. Presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, theksoi se kartëmonedhat euro përfaqësojnë më shumë se një mjet pagese; ato janë shprehje të rëndësishme të identitetit evropian, duke kombinuar bukurinë me domethënien.

Propozimet janë rezultat i një konkursi dizajni në nivelin e Bashkimit Evropian. Më shumë se 1.200 aplikime nga dizajnerë grafikë u shqyrtuan, dhe 25 prej tyre u ftuan të krijonin propozime për temat e përzgjedhura. Një juri e pavarur, e përbërë nga 21 ekspertë nga fusha të ndryshme, ka përzgjedhur dhjetë propozimet finale.

Të gjithë qytetarët e Evropës janë të ftuar të shpallin mendimet e tyre, pasi Këshilli Drejtues i BQE-së kërkon të organizojë një anketë online për këto propozime. Anketa do të jetë e hapur deri më 21 shtator 2026. Një kompani e pavarur kërkimore do të realizojë gjithashtu një anketë të veçantë me të njëjtat pyetje për një mostër të qytetarëve të eurozonës.

BQE do të publikojë një raport me rezultatet e të dyja anketimeve pas përzgjedhjes së konceptit përfundimtar të dizajnit. Sipas institucionit, mendimi i publikut është një element kyç për qasjen gjithëpërfshirëse të Eurosistemit, duke siguruar që zërat e qytetarëve të marrin parasysh.

Këshilli Drejtues pritet të marrë vendimin përfundimtar për dizajnin e ri të kartëmonedhave deri në fund të këtij viti. Kartëmonedhat e reja pritet të hyjnë në qarkullim në vitet në vijim, duke shënuar ridizajnimin e parë të plotë që nga emetimi i tyre në vitin 2002.

BQE thekson se emetimi periodik i serive të reja të kartëmonedhave do të mundësojë shfrytëzimin e përparimeve teknologjike për të parandaluar falsifikimin. Kartëmonedhat e reja do të përmbajnë elemente të avancuara sigurie, që do t’i bëjnë ato më të lehta për t’u verifikuar dhe më të aksesueshme, sidomos për personat me dëmtime në shikim.

Gjithashtu, BQE ka si qëllim të zvogëlojë gjurmën mjedisore të kartëmonedhave duke rritur qëndrueshmërinë e tyre dhe duke përdorur materiale dhe procese prodhimi më të qëndrueshme.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

Mund të ju pëlqejn

Advertisement