Gjashtë të akuzuarit për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, kanë mohuar sërish fajësinë e tyre. Prokuroria ka paraqitur akuzat duke theksuar se bëhet fjalë për një vrasje të planifikuar, e cila u realizua me role të ndara mes të pandehurve.
Të akuzuarit Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamant Gashi janë shprehur “tërësisht të pafajshëm” ndaj akuzave që rëndojnë mbi ta.
Gjatë seancës të së enjtes në Gjykatën Themelore në Ferizaj, gruaja e Muhamet Likës e përshkroi atë si një njeri të kujdesshëm dhe të sjellshëm, duke deklaruar se nuk kishte pasur asnjë fjalë të keqe për të. Ajo theksoi se raportet mes tyre ishin shumë të mira që nga viti 2003, kur e kishte njohur për herë të parë.
“Me Muhametin kurrë asnjë problem, asnjë fjalë nuk e kemi pasë. Ka qenë një dashuri dhe një respekt i dyanshëm,” tha ajo.
Prokurori Ismet Rrahmani përsëriti se provat materiale dhe video-incizimet e mbledhura mbështesin pretendimin se krimi ishte organizuar paraprakisht. Ai theksoi se të akuzuarit kishin ndihmuar autorin e dyshuar para, gjatë dhe pas kryerjes së vrasjes.
Sipas prokurorit, 1 prilli i vitit 2025 kishte nisur si një ditë e zakonshme pune për rreshterin Lika. “Pas përfundimit të orarit të punës në Kaçanik, rreth orës 22:54, ai u nis drejt banesës së tij, por nuk arriti kurrë në destinacion. Ai u privua nga jeta me armë zjarri nga i mituri Rejhan Bela,” theksoi prokurori Rrahmani.
Rreshteri i Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, u vra më 1 prill 2025 në Kaçanik, menjëherë pasi kishte përfunduar orarin e punës. Ai u qëllua me armë zjarri teksa po hynte në ndërtesën ku banonte.
Be the first to comment