Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar qytetarët dhe ngasësit e Kosovës për të treguar kujdes të shtuar gjatë ditës së nesërme. Ky apel vjen pas paralajmërimit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) për stuhira të forta, të cilat përfshijnë bubullima, reshje intensive, breshër dhe erëra të forta në të gjithë territorin e vendit.
Ministria thekson nevojën për kujdes në rrugë, për shkak të dukshmërisë së reduktuar dhe rrugëve të rrëshqitshme. Erërat dhe reshjet e fuqishme mund të shkaktojnë pengesa të ndryshme.
Në njoftim, Ministria kërkon nga qytetarët që gjatë stuhirove të shmangin qarkullimin përveç rasteve të domosdoshme. Gjithashtu, ata duhet të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike dhe të mbajnë distancë të sigurt. Është e rëndësishme të mos ndaloni ose parkoni nën pemë, afër shtyllave elektrike ose objekteve që mund të rrezikojnë. Kur është e mundur, sugerohet që automjetet të vendosen në garazhe ose vende të mbuluara dhe të sigurta. Për më tepër, qytetarët duhet të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe udhëzimet e institucioneve kompetente.
Më tej, Ministria e Infrastrukturës njofton se ekipet e mirëmbajtjes së rrugëve do të jenë të gatshme për të reaguar ndaj çdo situate që mund të ndodhë në infrastrukturën rrugore.
Be the first to comment