Një aksident tragjik ka ndodhur në fshatin Satteins në Austri, ku një baba 41-vjeçar dhe vajza e tij 6-vjeçare humbën jetën, pasi traktori me të cilin po udhëtonin u përmbys disa herë.
Sipas raporteve të mediave austriake, babai po udhëtonte me dy vajzat e tij në një zonë me pjerrësi, kur traktori dhe rimorkioja e rëndë humbën kontrollin dhe dolën nga rruga.
Si pasojë e aksidentit, Marcelit dhe vajzës së tij, Klara, iu mor jeta, ndërsa vajza tjetër, Anna, e moshës 4-vjeçare, mbeti e lënduar rëndë. Ajo u dërgua në spital për trajtim dhe më vonë u lirua.
Ngjarja ndodhi në një zonë të izoluar dhe kaloi pa u vërejtur për disa orë. Nënë e fëmijëve, duke u shqetësuar për ndonjë vonesë, doli për t’i kërkuar dhe i gjeti ata të aksidentuar. Ajo njoftoi menjëherë shërbimet emergjente.
Pas kësaj tragjedie, është hapur një fushatë mbështetjeje për familjen, nga e cila janë mbledhur deri tani mbi 550 mijë euro.
Banorët e zonës dhe ekipet e shpëtimit kanë shprehur një dhimbje të thellë për këtë ngjarje, duke e cilësuar ndërhyrjen si një nga rastet më të rënda emocionalisht për ta.
Be the first to comment