Gazetari sportiv Andi Shabani ka ofruar një analizë të thellë për finalen e Kupës së Botës 2026, që do të zhvillohet mes Spanjës dhe Argjentinës, gjatë emisionit “Info Magazine” në Klan Kosova. Ai ka diskutuar rrugëtimin e dy kombëtareve, formën e Lionel Messit dhe polemikat që kanë shoqëruar këtë edicion të Botërorit.
Shabani thekson se gjithë vëmendja e botës do të jetë e përqendruar në stadiumin “MetLife” në New Jersey, ku pas një rrugëtimi të gjatë, do të përcaktohet kampioni i ri i botës.
“ sot do të jetë gjithë vëmendja e botës në New Jersey, në MetLife Stadium, aty ku do të zhvillohet finalja pas një rrugëtimi shumë të gjatë të këtij kampionati botëror që ka nisur më 11 qershor dhe është mbajtur në tri shtete,” ka deklaruar ai, sipas raportimeve nga Klankosova.tv.
Ai sqaron se Argjentina ka pasur një rrugëtim më të vështirë drejt finales, por ka arritur të përmirësohet nga ndeshja në ndeshje, me Lionel Messin si lider të padiskutueshëm. Shabani vlerëson paraqitjet e Messit, i cili, pavarësisht moshës së tij, vazhdon të jetë vendimtar për kombin argjentinas.
“Messi është lider i kësaj kombëtareje dhe ka qenë në formë të jashtëzakonshme. Ka thyer të gjitha pritshmëritë pasi është 39 vjeçar dhe po vazhdon karrierën jashtë Evropës,” ka thënë ai.
Në anën tjetër, për Spanjën, Shabani thekson se skuadra e Luis de la Fuentes ka shkëlqyer në momentin më kritik, sidomos gjatë gjysmëfinales ndaj Francës.
“Spanja thjesht ishte fantastike. E arriti që ta bllokojë Francën, e cila kishte shënuar më së shumti gola dhe kishte eliminuar kundërshtarë të fortë,” ka deklaruar gazetari.
Ai thekson se Spanja ka treguar forcë përmes lojës kolektive, talenteve të mëdha dhe organizimit të shkëlqyer.
Në përfundim, Shabani flet edhe për polemikat që kanë shoqëruar këtë Botëror, duke vlerësuar infrastrukturën në SHBA, por duke kritikuar disa probleme organizative.
“Sa i përket infrastrukturës, stadiumet kanë qenë të jashtëzakonshme. Megjithatë, sa i përket çështjeve organizative, ka çaluar paksa dhe për këtë po kritikohet FIFA dhe presidenti Infantino,” ka theksuar ai.
Gazetari gjithashtu ka përmendur kritikat ndaj Argjentinës për një pretendim të mundshëm të favorizimit nga gjyqtarët, si dhe problemet me sistemin VAR dhe cilësinë e fushave.
Be the first to comment